Përse të investoni në Shqipëri?
Vendndodhje e shkëlqyer strategjike.
Akses i lirë në tregje: Marrëveshjet e tregtisë së lirë (CEFTA, EFTA dhe me vende të tjera) krijojnë mundësi për të hyrë në një treg më të gjerë.
Kuadri ligjor liberal për investimet e huaja:
Nuk ka kufizime në lidhje me pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në kompani: është e mundur 100% pronësi e huaj.
Investimet e huaja nuk mund të shpronësohen apo shtetëzohen në mënyrë direkte apo indirekte.
Investitorët e huaj kanë të drejtë të nxjerrin nga vendi të gjitha fondet dhe kontributet që lidhen me investimet.

Potencial i lartë investimi në sektorët prioritarë, ndër të tjera:

Energjia e rinovueshme
Sipas Shoqatës për Energjinë e Rinovueshme dhe Efiçencën e Energjisë, Shqipëria përdor vetëm 35% të potencialit të saj. Rezervat hidroelektrike vlerësohen në rreth 3000 MW. Potenciali vjetor i prodhimit mund të arrijë në 16,000 GWh.
Turizmi
Sektori i turizmit ka një potencial të madh. Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm që shtrihet nga Mali i Zi në Greqi dhe një larmi zonash malore të brendshme të përshtatshme për resorte skish dhe turizëm liqenor. Vendi ka shumë qendra të trashëgimisë kulturore ilire, romake, bizantine, helene dhe osmane, duke përfshirë qendrën e Trashëgimisë Botërore të mbrojtur nga UNESCO – Butrintin. E gjithë kjo e bën Shqipërinë një destinacion për agjencitë turistike dhe grupet arkeologjike.
Bujqësia dhe përpunimi ushqimor
Bujqësia është një nga sektorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Toka pjellore, klima e mirë, uji i bollshëm, potenciali i lartë eksportues, janë disa nga avantazhet që ofron Shqipëria në këtë sektor.
Sektori i minierave
Shqipëria është një vend i pasur me burime minerale. Mineralet e shfrytëzuara dhe të përpunuara në të kaluarën dhe që vazhdojnë të jenë burim fitimi janë kromi, hekuri, bakri, qymyri etj.
TIK
Sektori i TIK-ut po rritet me shpejtësi, duke u kthyer në një nga industritë më dinamike në vend.
